Në konferencën me gazetarët këtë të enjte, Presidenti iu përgjigj interesimit nëse dekretimi i datës 11 shtator për zgjedhjet në Bashkinë e Peshkopisë bie ndesh me Kushtetutën apo jo.
Nishani tha se data është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nëse do të pritej botimi në Fletoren Zyrtare, do të shkelej Kodi Zgjedhor.
“Unë jam interpretuesi i parë i Kushtetutës, interpretuese i fundit dhe përfundimtare është Gjykata Kushtetuese që me shkresën e datës 1 gusht 2016, ka bërë edhe interpretimin përfundimtar, sepse ka informuar Presidentin dhe ka vënë në dijeni Presidentin që në bazë të Kodit Zgjedhor e detyron Presidentin që të shpallë datën e zgjedhje. Data e zgjedhjeve nuk përcaktohet nga Presidenti, por nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe presidenti ka vetëm dekretin e shpalljes së datës për të përgatitur institucionet e tjera, që nga KQZ e deri tek partitë politike. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar që janë vetëm dy të diela, 4 shtatori dhe 11 shtatori dhe kjo nuk ndryshon edhe pas botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Nishani. / tch