Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur keqardhjen e tij për ndihmën që i ka ofruar grupit të Fethullah Gylen në të kaluarën.
Kjo pasi Fethullah Gylen si dhe grupi i tij, besohet që kanë lidhje me tentativën për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, ku si pasojë mbetën të vdekur të paktën 238 persona.
Në një fjalim të Këshillit të Jashtzakonshëm, Erdogan tha se përkundër të gjitha përpjekjeve të kësaj organizate, “treguam tolerancë ndaj tyre për shkak të respektit dhe edukimit, ndihmës dhe solidaritetit. Ne kishim gjuhë të përbashkët”, u shpreh Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk më tej tha se ai nuk arriti për të parë synimet e vërteta të këtij grupi, kohë më parë por tani është vërtetuar çdo gjë në lidhje me ta.
Korrupsioni dhe mashtrimi të cilat ishin nisur në fund të vitit 2013, ishte një pikë kryesore që na bëri të shohim fytyrën e vërtetë të grupi të gylenistëve.
“Unë e di se ka ende nga ata që nuk duan të besojnë në diçka të tillë. Por nga ky moment, epoka e dyshimit ka mbaruar dhe epoka e luftimeve ka filluar”, ka përfunduar Presidenti Erdogan.
Po sot në një intervistë për Rai News, Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se çështja penale e hapur për djalin e tij nga autoritetet italiane mund të rrezikojë marrëdhëniet midis Turqisë dhe Italisë.
Kreu i shtetit turk i referohet një dosjeje të hapur nga prokuroria e Bolonjës për djalin e tij 35-vjeçar të quajtur Bilal, i cili akuzohet për pastrim parash.
Rasti ka të bëjë me skandalin e vitit 2013, i cili tronditi të gjithë ambientin politik turk. “Përse nuk merren me mafien italiane, por merren me tim bir?”, u shpreh Erdogan gjatë intervistës.
Më tej, Presidenti turk u prononcua edhe në lidhje me tentativën për grusht shteti. Ai u shpreh se vendet perëndimore duhet të marrin një pozicion të caktuar në këtë mes, pasi sipas tij, deri më tani, këto shtete kanë qëndruar në anën e puçistëve.
Erdogan u pyet edhe në lidhje me komentet e bëra nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikat e Jashtme, Federika Mogherini. Shefja e diplomacisë së bllokut ka shprehur shqetësim për një sërë çështjesh, përfshirë kritikat e ashpra në lidhje me mundësinë e rikthimit të dënimit me vdekje.
Erdogan u kundërpërgjigj me një kritikë duke thënë se Mogherini duhet të vijë në Turqi dhe të shohë më parë se si është gjendja përpara se të komentojë.