Vendimi i Apelit për Krimet e Rënda që ndryshoi verdiktin e Shkallës së Parë për masat ndaj pesë të arrestuarve të dosjes “Rinasi”, u ka hapur rrugën atyre që të kërkojnë lirinë.
Avokatët e Bledar Blloshmit, Arben Karafilit, Vangjel Nikollës, Fadil Jonuzajt dhe Kujtim Picarit të dyshuar për shpërdorim detyre, do t’i drejtohen Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me kërkesën që të urdhërohet lirimi i tyre.
“Aktualisht nuk ka një vendim mbi të cilin mbahen të arrestuar dhe do kërkoj që të lirohen në mënyrë të menjëhershme”, thotë avokati Vladimir Meçe.
Pjesëtarë të trupës gjyqësore që shpalli verdiktin, shpjeguan për Top Channel se vendimi nuk do të thotë heqje e masës së sigurisë për të dyshuarit, por lënie në fuqi i vendimit të Krujës, një vendim i cili kundërshtohet nga avokatët si inekzistent.
“Praktikisht këta persona mbahen në burg pa një vendim gjyqësor. Vendimi i Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u shfuqizua tashmë, pra nuk ekziston më sepse kërkesa e Prokurorisë ra. Vendimi i Gjykatës së Krujës e ka humbur fuqinë që në momentin që Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur masën e sigurisë”, shton avokati Meçe.
Kjo do të thotë që praktikisht vendimi i Apelit hap rrugën e lirimit të të arrestuarve në këtë çështje të bujshme dhe pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, duket se po përcjell barrën e një lirimi të mundshëm të tyre tek kolegët e Shkallës së Parë.
Burime nga grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda shprehen për Top Channel se është ende nuk ka një qëndrim nga akuza për këtë vendim.
Në Aeroportin e Rinasit u grabitën 995 mijë euro, por ende nuk ka gjurmë të autorëve, megjithëse disa persona janë nën përgjim. Pas shpalljes së mungesës së kompetencës nga Prokuroria e Krujës, hetimet po vijojnë për veprat shpërdorim detyre, vjedhje me dhunë dhe grup i strukturuar kriminal.