Qeveria pritet të dyfishojë masën e kompensimit të dritave për familjet me ndihmë ekonomike dhe pensionistët kryefamiljarë. Burime zyrtare në Ministrinë e Energjetikës thanë për gazetën se ndryshimet do të sjellin rritje të masës së kompensimit të energjisë, më tepër se 648 lekë në muaj.
Për të rishikuar vendimin do të ngrihet një grup i përbashkët pune me përfaqësues të Ministrisë të Financave dhe Ministrisë të Mirëqenies Sociale.
PLANI
Një skenar i qeverisë është që masa e kompensimit të dyfishohet, nga 648 lekë në muaj që është aktualisht, të shkojë në 1425 lekë. Qeveria synon që shtresat në nevojë të kompensohen për 150 kilovatë që shpenzojnë në muaj, nga 70 kilovatë që ata kompensohen aktualisht për masën 648 lekë në muaj. Shtesa e kompensimit pritet që si fillim të aplikohet për familjet që janë përfituese të ndihmës ekonomike dhe pensionistët kryefamiljarë.
Ndërsa një mundësi tjetër po studiohet nga qeveria që, pjesë e rritjes së kompensimit të jenë të gjitha kategoritë që janë përfituese të skemës aktuale. Ndryshimet synojnë rritjen e masës së kompensimit të dritave për shtresat në nevojë, dhe jo kthim të fashës së më- parshme të kompensimit deri në 300 kilovatë.
Në shkurt të 2015-s, pas heqjes së fashës deri në 300 kilovatë në mbrojtje të shtresave në nevojë, Qeveria vendosi për të kompensuar me 648 lekë në muaj familjet e varfra dhe pensionistët kryefamiljarë.
Kompensimin për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 kilovatë e përfituan familjet me ndihmë ekonomike, kryefamiljarët me pension pleqërie dhe invaliditeti, familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuara, të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si dhe punonjësit e administratës me pagë mujore nën 35 mijë lekë në muaj. Për të gjitha kategoritë, numri i përfituesve ishte 203,928 familje.
SKEMA
Rritja e masës së kompensimit të dritave nuk do të përfshijë ndryshimin e numrit të përfituesve. Qeveria synon të përdorë të njëjtën skemë si më përpara, ku kompensimi nga pensionistët të tërhiqet në zyrat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike. Përfituese të vendimit të mëparshëm ishin familjet që nuk ishin debitore në OSHEE. Pra kompensimi u dha vetëm për familjet e rregullta.
Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, listat e përfituesve u përpiluan në zyrat e njësive bashkiake. Po në këto zyra, kjo kategori përfituese që trajtohet me ndihmë ekonomike tërhoqi edhe paratë e kompensimit të çmimit të dritave. E njëjta procedurë u zbatua edhe për pensionistët kryefamiljarë. Nga vendimi i mëparshëm përfitojnë 648 lekë kompensim të dritave në muaj të gjithë ata pensionistë që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe nuk kanë të ardhura të tjera.
Kompensimi përfitohet vetëm nga një prej pensionistëve në familje. Më tej, prej skemës së rimbursimit përfitojnë të gjithë punonjësit e administratës shtetërore me pagë nën 35 mijë lekë. Kushti i përfitimit ishte që në familje të mos kishte të punësuar të tjerë.
Në listën e dokumenteve theksohej se kryefamiljarët duhet të sillnin “për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë”. Paratë shpërndahen në zyrat e financës ku merret edhe paga./panorama/a.k