Një spekulim mediatik me shifrën e vjedhur në Bankën e Shqipërisë, e ka cilësuar guvernatori Genti Sejko lajmin e publikuar sot në një të përditshme.
Sipas Sejkos, shuma e vjedhur është ajo e inventarizuar dhe e publikuar tashmë nga autoritetet hetimore dhe jo 21 milionë euro.
“Shuma është zbuluar nga auditi dhe është ajo e prej 713 milionë lekëve. Unë nuk kam informacion për asnjë skemë tjetër dhe as nuk kam pasur” – tha guvernatori Sejko.
Ai bëri të ditur për mediat se norma e interesit mbetet e pandryshuar dhe se rënie shënohet në sektorin industrial dhe bujqësor. Sipas tij, inflacioni në fund të qershorit është shënuar në masën 1.2%. Megjithatë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh optimist duke u shprehur se politikat monetare janë stimuluese.
“Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia u rrit me 2.96% në 3-mujorin e parë të 2016, ndërsa parashikojmë një rritje ekonomike progressive edhe në periudhën në vijim , deklaroi Guvernatori.
Sejko u ndal edhe në miratimin e reformës në drejtësi duke shtuar se ky është një sinjal pozitiv për ekonominë.
“Reforma në drejtësi do t’i hapë rrugën një ambienti më juridik në respektimin e palëve sa u takon marrëveshjeve dhe kontratave. Zbatimi i reformës do të sjellë një ambient juridik më të besueshëm. Zbatimi i reformës, do të sillte një raport më të mirë të kolateralit, ku presim të zgjidhen kreditë me probleme”.