I dërguari i Partisë Demokratike në Vlorë, Flamur Noka, po anashkalon strukturat zyrtare të partisë së tij në zonën e Himarës dhe po krijon një grupim drejtues politiko- financiar- militar me segmente të Omonias.
Siç mësohet, Noka ka krijuar një marrëdhënie të afërt me kreun e PBDNJsë dhe ishkandidatin për kryetar bashkie në Himarë, Fredi Berberi, i akuzuar për masakrën e Peshkëpisë, si dhe me biznesmenin e njohur Nikollaq Neranxi, i cili po punon për t’u bërë kryetar bashkie i Himarës.
Drejtues seksionesh në fshatrat e Himarës, janë zgjedhur njerëz jashtë strukturave zyrtare të PDsë dhe për këtë ka nisur një konflikt i hapur mes degës së PDsë lokale dhe të dërguarit Flamur Noka. Një dërgatë nga dega ka dërguar një raport të hollësishëm në adresë të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.
Akuza e degës së PD-së ndaj Nokës është se po rrezikohet që Partia Demokratike të bëhet apendiks i Omonias, gjë që do ta kthejë betejën politike në zonë mes “grekëve dhe shqiptarëve”, duke e damkosur opozitën me një gjë që realisht e ka dëmtuar të djathtën. Mbështetja për Vasil Bollanon i ka kushtuar më shumë PDsë sesa e ka ndihmuar. Ka qenë kjo mbështetje që solli fitoren e lehtë të Jorgo(Gjergji) Goros në vitin 2011 e më pas në rizgjedhjen e tij në vitin 2015.
Nikollaq Neranxi, biznesmeni i fuqishëm që ka qenë deputet nën flamurin e Partisë Agrare dhe më pas të LSIsë, ka zhvendosur të gjithë detashmentin e tij në Himarë, duke u zgjedhur dhe kryetar i shoqatës së himariotëve. Njerëz të afërt të Neranxit janë zgjedhur drejtues të grupseksioneve të PDsë në Spile, por edhe në fshatra e lagje të territorit që përfshin bashkia Himarë.
Qëllimi i Flamur Nokës për zgjerim aleancash po bie ndesh me strukturat zyrtare të Partisë Demokratike të Himarës. Madje një raport i dërguar në qendër bën me dije se Noka buan edhe në shtëpinë e Fredi Berberit, person i cili ka lidhje të ngushtë me ambasadën greke në Tiranë.
Kjo çështje pritet të sqarohet nga Basha, të cilit do t’i duhet të presë nyjen gordiane: me kombëtaristët apo me filogrekët?…/tesheshi/a.k