Pavarësisht politikave për të luftuar pabarazinë gjinore, ende dhe sot kudo në botë gratë paguhen më pak se kolegët e tyre burra. Diferencat janë të pranishme si në vendet e zhvilluara perëndimore, si Holandë dhe Zvicër, deri në ato më pak të zhvilluarat si Shqipëria.
Sipas analizës nga grupi Korn Ferry Hay, një firmë konsulente që mori nën studim më shumë se 8 milionë punonjës në 33 shtete, gratë fitojnë 18% më pak se sa burrat. Hendeku shpjegohet me mungesën e grave në pozicionet e mirëpaguara. Gratë përbëjnë 40% të forcës punëtore në zyra, por vetëm 15% e tyre kanë rol drejtues. Gjithsesi, hendeku zvogëlohet kur krahasojmë femrat dhe meshkujt që punojnë në të njëjtin nivel dhe funksion të së njëjtës kompani, por përsëri në favor të meshkujve me 1.6%.
Në Shqipëri, nga të dhënat e studimit të INSTAT “Femra dhe Meshkuj,2015” rezulton se paga mesatare bruto për një të punësuar në 2014 është 45.539 lekë. Nga ku për të punësuarit meshkuj paga mesatare bruto mujore është 47.664 lekë, ndërsa për femrat është 42.852 lekë, për të njëjtin nivel dhe funksion. Në sektorin privat, hendeku është 10%, pra meshkujt paguhen rreth 10% më shumë se koleget e tyre femra për të njëjtin rol.
Po sipas INSTAT-it, meshkujt e punësuar në kompani të huaja kanë një pagë dyfish më të lartë se femrat.
Nga ana tjetër, në sektorin publik në Shqipëri, diferenca në pagë anon nga gjinia femërore, ku paga për punonjëset femra përllogaritet rreth 1% më e lartë se e meshkujve.
Në Britani, pas më shumë se 4 dekada që është prezantuar dekreti për paga të barabarta, diferenca midis burrave dhe grave është akoma e madhe. Premtimi i bërë në 2015 nga David Cameron për t’i dhënë fund hendekut të pagës është tepër ambicioz. Gratë përbëjnë vetëm 1 nga 3 të roleve drejtuese. Punonjës të të njëjtit nivel, por në kompani të ndryshme po përballen ende me diferenca, ku paga mesatare e një burri është 9% më e lartë, shkruan Monitor.
Vetëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndodh e kundërta, ku hendeku i pagës anon nga ana e gjinisë femërore. Gratë në të njëjtin nivel, kompani dhe funksion, aktualisht paguhen 2% më shumë se kolegët e tyre burra. Kjo shpjegohet me faktin se më pak gra janë të angazhuara të punojnë dhe ato që e bëjnë kanë një nivel mjaft të lartë të arsimimit. Në 2014 gratë përbënin rreth 13% të forcës punëtore, ndërsa në Britani ndarja ishte 46%.