Pas ngjarjes të së shtunës në burgun e Vaqarrit, ku Ergys Kolaveri dhe Enea Ceka tentuan të vrisnin brenda burgut nga një distancë prej 150 metrash 27-vjeçarin Elson (Gazmir) Daci, dyshohet se një gardian i ka informuar dy kushërinjtë për vendndodhjen e Gazmir Dacit, në burgun e Vaqarrit si dhe për të gjitha lëvizjet e këtij të fundit.
Të shtunën dy kushërinjtë qëlluan me pushkë në drejtim të burgut me qëllim për të vrarë 27-vjeçarin Elson (Gazmir) Daci, por gabuan shënjestër dhe plagosën kosovarin Lili Dulaj. Ndërkaq, Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet dhe dyshojnë se e gjitha kjo histori është për larje hesapesh.
Shkak për sherrin ishte bërë prishja e pazareve për transportimin e klandestinëve nga Franca në Britaninë e Madhe dhe se Daci po u merrte klientët vëllezërve. Transporti kryhet për llogari të bandave shqiptare, të cilët marrin nga 10 mijë paund për çdo emigrant që e dërgojnë në mënyrë klandestine nga Franca në Britaninë e Madhe. Të arrestuarit Ergys Kolaveri dhe kushëriri i tij Enea Ceka, nuk e kanë pranuar akuzën e atentatit në burgun e Vaqarrit.
Ndërsa, sipas burimeve, Ergys Kolaveri ka deklaruar: “Ne jemi shënjestra e vetme e familjes Daci dhe për çdo gjë që u ndodh atyre na akuzojnë ne. Më kanë vrarë vëllain dhe kam shumë halle, por nuk kam qëlluar unë në Vaqarr”.
BW/d.i.