Policia rrugore duket se nuk ia del dot e vetme përballë numrit të lartë të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda njerëzore, që janë shënuar javët e fundit në vendin tonë.
Ndonëse shumica e aksidenteve kanë ndodhur pikërisht në zonat ku policia rrugore ka plane të posaçme për shkak të sezonit turistik dhe fluksit të shtuar, ekspertë pranë policisë rrugore, deklarojnë se gishti për aksidentet nuk duhet drejtuar vetëm nga policia.
“Pavarësisht numrit të shtuar të punonjësve të policisë, pavarësisht patrullave, pavarësisht orëve të zgjatura të punonjësve të policisë në rrugë, sërish ndodhin aksidente, por jo gjithmonë gishti duhet drejtuar nga policia. Një faktor i rëndësishëm në aksidente, është edhe gjendja e infrastrukturës dhe sinjalistika, e cila jo gjithmonë është në nivelin e kërkuar, në bazë të shkresave që ne i kemi dërguar autoriteteve përkatëse”, tha Ervin Dervishi, specialist i sigurisë rrugore.
Derisa institucionet përkatëse që kanë detyrimet e tyre për sigurinë në rrugë të marrin përgjegjësitë e tyre, policia tregon se si reagon në raste të shtimit të numrit të aksidenteve fatale
“Nëse në një segment të caktuar konstatojmë numër të shtuar të aksidenteve si pasojë e shpejtësisë, dërgojmë atje grupet me radar, nëse kemi aksidente për shkak të konsumit të alkoolit dërgojmë aparatet si dhe shtim të forcave, kaq mund të bëjmë ne si polici”, vijoi Dervishi./tch/a.k