Qeveria rrit fondin për kompensimin e ish-pronarëve. Vendimi i qeverisë është parashikuar në ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit për vitin 2016.
Fondi për kompensimin e ish-pronarëve, nga 3 miliardë lekë që ishte parashikuar fillimisht në ligjin e buxhetit, shkon në 3,6 miliardë lekë. Shtesa prej 600 milionë lekësh, nuk është rritje nga transferta e buxhetit, por nga të ardhurat që janë siguruar nga procesi i legalizimit të ndërtimeve informale.
Burime zyrtare në Ministrinë e Financave thanë për gazetën se fondi shtesë prej 600 milionë lekësh shkon për ish-pronarët që shpronësohen nga legalizimet, pasi të ardhurat që buxheti ka siguruar nga arkëtimet për legalizimin e ndërtimeve informale janë në të njëjtën masë.
Nga ndryshimet nuk rritet kontributi i buxhetit për vendimet e kompensimit të ish-pronarëve, por pjesa që vjen nga rritja e të ardhurave nga procesi i legalizimeve. Fondi i krijuar prej 600 milionë lekësh nga arkë- timet do të shkojë për shpronë- simin e ish-pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet informale.
Sipas nenit 6 të Aktit Normativ të qeverisë për buxhetin, fondi për kompensimin e ish-pronarëve arrin në 3,6 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim të vitit.
Fondi nga transferta e buxhetit mbetet i pandryshuar me vlerë 2 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat për fondin e kompensimit të ishpronarëve janë rritur nga 1 miliard lekë të parashikuara në fillim të hartimit të ligjit, në 1,6 miliardë lekë.
NDRYSHIMET
Akti normativ i qeverisë parashikon edhe ulje të të ardhurave të buxhetit nga 418,8 miliardë lekë të parashikuara në fillim, të ardhurat shkojnë 414,4 miliardë lekë. Me ulje janë edhe shpenzimet e përgjithshme të buxhetit.
Në ligjin e mëparshëm ato ishin parashikuar 453,3 miliardë lekë, ndërsa në aktin normativ ato janë përcaktuar 450,2 miliardë lekë. Deficiti buxhetor në aktin normativ është parashikuar me rritje 34,4 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim në aktin normativ, bëhet 35,7 miliardë lekë.
Në aktin normativ qeveria ka përfshirë nga transferta e buxhetit edhe fondin 635 milionë lekë për indeksimin e pensioneve me 1,6 për qind, duke mbuluar rritjen e çmimeve të konsumit që ishte 1,2 për qind për muajin qershor.
Në ndryshimet e buxhetit, qeveria ka përfshirë edhe 35 milionë lekë fonde për rritjen e pensioneve, që do të shkojnë për pagesat e debive të ish–ushtarakëve. Në ndryshimet e buxhetit, fondet për investime në Ministrinë e Transporteve rriten nga 21,1 miliardë lekë që ishin, shkojnë në 22,7 miliardë lekë, ndërsa në Ministrinë e Arsimit fondi për investime mbetet i pandryshuar.
Fondet e buxhetit nga transferta e pakushtëzuar për vendorët janë rritur, në fillim ishin parashikuar 13 miliardë lekë, ndërsa me ndryshimin e fondit arrin 13 miliardë e 45 milionë lekë.
Sa i përket shlyerjes së huadhënies për energjinë, ndryshimet e buxhetit sjellin uljen e saj nga 5 miliardë lekë që ishte, arrin në 4,7 miliardë lekë./panorama/a.k