Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz refuzoi kategorikisht një deklaratë të homologut të tij turk, Mevlut Çavushoglu, sipas të cilit Ankaraja mund të mos e respektonte më marrëveshjen me BE-në për migrantët nëse unioni nuk hiqte regjimin e vizave për qytetarët turq deri në muajin tetor.
“Për regjimin pa viza ekzistojnë kushte shumë të qarta për t’u plotësuar, sidomos ato antiterroriste”, deklaroi Kurz për agjencinë zyrtare austriake të lajmeve, APA.
”Bashkimi Evropian duhet t’i mbrojë kufijtë e tij. Ne kemi shembuj të mirë si Australia apo Spanja që i ruajnë me sukses kufijtë e tyre”, theksoi ai.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu deklaroi për të përditshmen gjermane ”Frankfurter Allgemeine Zeitung” se, nëse BE-ja nuk zbatonte heqjen e vizave për qytetarët turq deri tetorin e ardhshëm, atëhere Turqia nuk do t’i përmbahej më marrëveshjes së 18 marsit me unionin për frenimin e migrantëve dhe strehimin e tyre në territorin turk.