Islami nuk është një besim fetar i dhunshëm dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e ndjekësve të tij kanë përqafuar fondamentalizmin, tha papa Françesku në një konferencë shtypi.
“Mendoj se nuk është e vërtetë dhe as e drejtë të themi se Islami është religjion terrorist”, tha papa Françesku, ndërkohë që kthehej me avion nga Polonia, sipas një transkripti të Radio Vatikanit.
Papa Françesku zhvilloi një vizitë zyrtare në Poloni me rastin edhe të Ditës Botërore të Rinisë, që u festua nga më shumë se një milion persona.
“Një gjë është e vërtetë: pothuajse në të gjitha besimet fetare ka gjithmonë një grup fondamentalistësh”, theksoi papa Françesku.
“Nëse do të flisja për dhunë myslimanësh, atëhere do të flisja edhe për dhunë katolikësh. Jo të gjithë myslimanët janë të dhunshëm. Jo të gjithë katolikët janë të dhunshëm”, shtoi ai.