Biznesi i qendrave telefonike (call center) po njeh një rritje shumë të shpejtë në Shqipëri vitin e fundit, i nxitur nga kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe fakti që pjesa më e mirë e të rinjve e flasin mirë italishten.
Numri i call center në vitin 2015 arriti në 847, sipas të dhënave të INSTAT, nga 414 që ishin në fund të vitit 2014.
Në krahasim me vitin 2010, kur sapo kishte filluar hapja e këtyre bizneseve në Shqipëri dhe kishte vetëm 75 të tilla, numri i kompanive është mëse 10- fishuar (shiko grafikun).
Sipas të dhënave nga tatimet, numri i të punësuarve në këtë sektor ka arritur në 25 mijë. Rreth 30% e tyre janë të punësuar në tre call center më të mëdha në vend, Intercom Data Service (IDS), Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance).
Call center u bënë “shpëtimtari” i punësimit vitet e fundit, sidomos tek të rinjtë, që pavarësisht se kishin vërshuar në universitete shtetërore e private, nuk arrinin të gjenin punë në zanatin e tyre (ose ndonjëherë edhe nuk u leverdiste) dhe zgjodhën të punojnë në qendrat e thirrjeve telefonike. Pagat mesatare në këtë sektor luhaten nga 30 mijë në 70 mijë lekë në muaj, edhe më lart për menaxherët.
Pavarësisht rritjes, sektori po shfaq problemet e para. Konkurrenca po shtohet, pasi ky është një biznes që ka kosto minimale, që mund të hapet edhe me 10 mijë euro. Sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër, duke lënë punonjësit pa paguar, siç ishte rasti i punonjësve që protestuan pak javë më parë. / monitor