Deputeti demokrat Genc Pollo vlerëson aftësinë negociuese të kreut të opozitës, Lulzim Basha, për Reformën në Drejtësi.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Pollo sqaron edhe rolin e ndërkombëtarëve në proces dhe mesazhet e përcjella nga Ambasada e SHBA-ve për deputetët e Kuvendit.
Deputeti demokrat i cilëson si të papranueshme mesazhet që ambasada nisi për deputetët, duke theksuar se masat për të cilat flitej në ato tekste janë të rezervuara për terroristët dhe kriminelët.
Pollo flet edhe për debatet në Grupin Parlamentar të PD-së, duke sqaruar se votat e demokratëve që u vetëdeklaruan pro reformës, dobësuan pozitat e negociatorëve të PD-së.
“Çdo betejë ka kosto, pavarësisht se mbyllet me fitore a disfatë. Për fatin e mirë të PD-së e të shtetit ligjor, kjo betejë u mbyll me fitore. Ndërsa deklarimi publik i votës pro reformës pikërisht në momente kritike të vendimmarrjes, mendoj se i dobësoi pozitat e negociatorëve të PD-së e deputetëve të opozitës në komision. Z. Xhafaj, në anën tjetër të tryezës, e kishte kollaj t’u thoshte mos na kërkoni kaq shumë, se dy-tri vota i morëm e tri-katër do t’i marrim dhe e miratojmë edhe pa ju. Fatmirësisht, siç e dimë tashmë, në fundore nuk e dhanë këtë efekt negativ”, thotë Pollo për Panoramën.
Panorama/d.i.