Ideja e qeverisë për të futur kulturën fetare në shkolla do të konkretizohet në semestrin e dytë të vitit shkollor 2016-2017. Lajmin e ka bërë publik zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, gjatë një interviste për “NEWS 24”.
Sipas saj, programi është gati dhe mendohet të implementohet si projekt pilot fillimisht në dhjetë shkolla kryeqytetase në semestrin e dytë të vitit shkollor e jo që në muajin shtator, siç u përfol në krye të herës.
Lënda, emri i së cilës mendohet të jetë “Historia dhe kultura fetare”, do të japë koncepte mbi fenë për jo më shumë se dhjetë orë në muaj për nxënës të klasave të gjashta e të dhjeta. Të gjitha shkollat do të mësojnë kulturën fetare, në rast se ky projekt jep frytet e duhura.
ZBATIMI
“Sapo ka përfunduar programi dhe janë vetëm dhjetë shkolla ku do të aplikohet. Nuk do të bëhet në pjesën e parë të vitit shkollor, por në semestrin e dytë. Pra, janë shumë pak shkolla ku do të implementohet”, sqaron Malaj. Ndonëse na ndajnë muaj larg zbatimit të këtij projekti në shkolla, Ministria e Arsimit do të kryejë trajnimin e mësuesve gjatë muajit gusht.
“Duke qenë se janë shumë pak shkolla, ka më pak punë me trajnimin e më- suesve dhe përgatitjen e materialit, proces që do të nisë në gusht”. Sipas zv.ministres, nëse ky projekt do t’i arrijë objektivat e tij, lënda mbi kulturën fetare do të futet në të gjitha shkollat e vendit.
“Nëse programi rezulton i suksesshëm, vitin tjetër do të realizohet i plotë në të gjithë sistemin e arsimit”. Çfarë do të mësojnë nxënësit në lëndën e kulturës fetare? Sipas Malajt, kjo lëndë do të ketë dhjetë orë të përcaktuara, e cila do të ndahet mes praktikës e teorisë, ku pjesën më të madhe, 60%, do ta zërë kjo e fundit.
Praktika fetare, sipas saj, nuk nënkupton aspak vënien në zbatim të praktikave të mirëfillta fetare. “Janë thjesht qasje sociale të problematikave që lidhen me mënyrën e menaxhimit dhe kulturës fetare”, sqaron zv.ministrja.
Këtë e ka theksuar fort edhe ministrja Lindita Nikolla rreth 4 muaj më parë, kohë kur qeveria lajmëroi që në shkolla veç shkencës, nxënësit të merrnin njohuri edhe për fenë. Sipas saj, lënda do të jepet nga mësues dhe jo klerikë. Janë pesë shkolla të mesme e pesë 9-vjeçare ku do të futet mësimi mbi fenë. Bëhet fjalë për klasat e gjashta dhe të dhjeta, që ende nuk janë bërë publike, të cilat do të zhvillojnë një lëndë të quajtur “Historia dhe kultura fetare”.
Komunitetet fetare e kanë përqafuar idenë dhe janë treguar të gatshme të kontribuojnë në hartimin e kësaj lënde në bashkëpunim me ekspertët e Ministrisë së Arsimit. Ata kanë pohuar se një gjë e tillë prej më se dy vitesh është diskutuar, por nuk ka gjetur zbatim.
Panorama/d.i.