Majlinda Kelmendi është e qetë. Nuk po ndien presionin e pritjeve të miliona shqiptarëve për medalje olimpike në “Rio 2016”, shkruan Koha Ditore.
Thotë se po përgatitet si për çdo garë tjetër dhe kjo është fitorja e parë e saj drejt lavdisë. “Unë për vete nuk kam ngarkesë para kësaj gare. Gjithçka po shkon mirë, formën e kam, përvojën po ashtu.
Aspektin psikologjik, tash më mirë se kurrë di ta menaxhoj, falë edhe ndihmës e përvojës së madhe të trajnerit Driton Kuka, kurse atëherë nuk kemi ditur. Tash po i bëj shumë gjëra dhe më janë bërë rutinë”, thotë xhudistja Kelmendi, në një intervistë për “Kohën Ditore”.
Kur thotë “atëherë”, i referohet Londrës, Lojërave Olimpike të para për të. Atëbotë përfaqësoi Shqipërinë dhe u ndal në xhiron e dytë krejt papritur, nga një garuese e pak e njohur. Por, nga ajo kohë, Kelmendi është rritur në çdo aspekt.
Ka fituar dy tituj të botës, dy të Evropës e dhjetëra turne prestigjiozë. Është futur në një seri mbi 50 fitore dhe gjithë këto bënë që më 2014 të shpallej xhudistja e vitit në botë. (b.an)