Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj ka hapur procedurat tenderuese për ndërtimin e një varreze murale në Sharrë. Për këtë projekt, të parin në llojin e vet në Shqipëri bashkia pritet të verë në dispozicion nga buxheti i saj një shumë prej 67 milion lekë të vjetra.
Tashmë procedura është në fazën fillestare dhe se pritet që në ditët në vijim ky projekt të marrë nismë dhe në terren. ”Shqiptarja.com” zbulon disa fotografi të varrezës murale e cila ka një karakter monumental.
Në lidhje me projektimin e kësaj varreze murale, inxhinierët kanë marrë parasysh një sërë faktorësh përcaktues duke filluar nga gjendja ekzistuese e sheshit të ndërtimit,studimet përkatëse mbi tipologjinë e objektit e deri tek standardet bashkëkohorë që synohet të arrihet në këtë projekt.
Sipas kërkesave të parashtruara, zhvillimi i objektit do të mbështetet në një modul konstruktiv bazë të dhënë për tipologjinë përkatëse. Koncepti i “nikes” është ndjekur gjatë gjithë zhvillimit të projektit, që nga ndërtimi i modulit bazë e deri në konceptimin e fasadave të objektit.
Në fasadat veriore, jugore dhe perëndimore elementi i “nikes” përsëritet me të njëjtin ritëm duke i dhënë objektit një pamje të qetë dhe statike në përputhje edhe me tipologjinë që përfaqëson. Ndërsa kolonada e vendosur në fasadën lindore formulon hyrjen në objekt dhe i jep atij një karakter monumental.
ma.me