Insajderi ka siguruar procesverbalet e dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur në rastin kundër Azem Sylës dhe 50 të tjerëve.
Ai ka rrëfyer për pasurimin e dyshimtë të Sylës, më 2006. Insajderi sjell rrëfimin e dëshmitarit që pohon se Azem Syla bleu banesë në vlerë prej 155 mijë eurove në Pejton, në vitin 2006. Po ashtu, bleu një Mercedes në vlerë prej 40 mijë eurosh.
Asnjërën pasuri nuk e regjistroi në emër të tij, pohon dëshmitari. Burimi i të ardhurave ishin veprimet e dyshuara kriminale në Llapnasellë.
Para dhjetë vitesh, gjatë periudhës prill- gusht të vitit 2006, besohet se i kanë ndodhur dy gjëra shumë të rëndësishme Azem Sylës. Ai pohon se kishte marrë gradën Doktor i shkencave politike në SHBA, përkatësisht në “Leibniz University”, në New Mexico- Santa Fee.
Vetëm tre muaj pas marrjes së gradës “Doktor shkence”, në verën e vitit 2006, Azem Syla dyshohet se është pasuruar me blerjen e një banese në lagjen Pejton, në Prishtinë.
Ishte blerë për 155 mijë euro, raporton Insajderi. Derisa grada e marrë në universitetin në SHBA i është kontestuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze, Azem Sylës-doktorit të shkencave politike- problem më i madh i ka dal me veprimin e kryer në Prishtinë, blerjen e banesës. (b.an)