Madje as ligji i “vetting”-ut i vetëm mund të mos mjaftojë.
“Mesazhi im është miratimi sa më i shpejtë i të 7 ligjeve, kuptohet në respekt të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë”, thotë ministrja Gjosha në një intervistë për TCH.
Po përse koha është faktor vendimtar?
Në tetor, Komisioni Europian publikon raportin e progresit të Shqipërisë dhe, që të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit, vendi duhet të ketë dhënë prova se po e zbaton Reformën në Drejtësi.
“Do të ishte shumë pozitive, që ne të miratojmë të 7 ligjet brenda gushtit, për arsye se Shqipëria do të raportojë për ecurinë pranë Komisionit Europian në shtator. Kështu që gushti do të jetë edhe muaji vendimtar për procesin e integrimit dhe për procesin e reformës”, vijon më tej Gjosha.
Që Shqipëria të nisë bisedimet për anëtarësim, duhet që për rekomandimin e komisionit të ketë një vendim politik në dhjetor.
Por a ka mundësi që kjo të ndodhë?
“Unë nuk mund të flas për dhjetorin, se dhjetori do t’u përkasë vendeve anëtare. Ministria e Integrimit është e lidhur ngushtë me procedurat dhe me procesin teknik të integrimit. Që do të thotë se lidhja ime shkon deri në Komisionin Europian për të marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave”, deklaroi ministrja Klajda Gjosha.
Por që këtij procesi t’i hapet “drita jeshile”, duhet një vendim nga Shqipëria.
“Unë jam besimplotë se politika në Shqipëri do të tregojë sërish maturi për të kaluar me konsensus të 7 ligjet në një seancë të jashtëzakonshme. Ne jemi të gatshëm të lëmë pushimet dhe të kthehemi aty për të votuar 7 ligjet vendimtare dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të reformës”, përfundoi Gjosha.
ma.me