Kompania EOD (Explosive Ordnance Disposal) e Forcave të Armatosura është angazhuar në kontrollin dhe pastrimin e territorit ku është parashikuar të ndërtohet gazsjellësi TAP (Trans Adriatic Pipeline).
Prej 10 ditësh “skuadra e bombave” të Forcave të Armatosura, ka nisur kontrollin e territorit ku do të ndërtohet tubacioni, për municione të vjetra apo të reja, të shpërthyera apo të pashpërthyera.
Në këtë operacion FA po përdorin pajisjet e fundit të teknologjisë. Duke qenë se tubacioni do të ndërtohet nën tokë, kontrolli nuk është vetëm në sipërfaqen e tokës, por edhe në thellësi deri në 6 m.
Operacioni i kompanisë EOD për kontrollin dhe pastrimin e gjurmës ku do të kalojë tubacioni, pritet të zgjasë rreth 2 vjet. Pas çdo faze të këtij operacioni, territori i kontrolluar nga ushtarakët shqiptarë do të certifikohet dhe do t’i dorëzohet firmës nënkontraktore për ndërtimin e tubacionit.
Forcat e Armatosura janë angazhuar të kontrollojnë dhe pastrojnë një territor prej 209 km të gjatë, me gjerësi mesatare prej rreth 40 m. Ky operacion ka nisur në zonën e Semanit në Qarkun e Fierit, do të vazhdojë në atë të Beratit, për të përfunduar në Qarkun e Korçës, në kufi me Greqinë.
Kontributi i Forcave të Armatosura nuk mund të mungonte në veprën më të madhe energjetike, i cili ka hyrë një fazë mjaft të rëndësishme, siç është ajo e përgatitjes përfundimtare për ndërtimin e tubacionit.
Nevoja e sigurisë për një projekt kaq të rëndësishëm ekonomik për vendin, ka bërë që edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë të kenë rolin e tyre në këtë sipërmarrje.
Në Shqipëri tubacioni i gazsjellësit do të jetë rreth 215 km i gjatë, duke filluar në Bilisht Qendër, në Qarkun e Korçës, që kufizohet me Greqinë. Dalja në det e TAP-it në Shqipëri do të jetë 17 km në Veriperëndim të Fierit, deri në 400 metra në brendësi të tokës larg nga vija bregdetare. Pjesa e tij në ujërat territoriale shqiptare do të jetë rreth 37 km e gjatë.
TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Detin Adriatik./a.m.