Kryetari i LSi-së, Ilir Meta, njëherëz edhe Kryetar i Kuvendit, gjatë javëve të fundit është shfaqur si njeriu i konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Meta duket në pamje të parë si një ndër politikanët me pozitat më të konsoliduara në partinë që drejton prej 12 vitesh.
E nëse Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe Kryetar i PS-së, apo Lulzim Basha, Kryetar i PD-së, herë pas here janë përballur me kritikat në grupet parlamentare apo forcat politike që drejtojnë, për Ilir Metën situata në syrin e publikut duket jo vetëm e konsoliduar, por ai shihet si një politikan me dorë të hekurt në forcën politike që ka themeluar dhe drejton nga 2004.
Por Citynews ka mësuar nga burime të besueshme brenda LSI-së se edhe në këtë parti duke se është krijuar një grupim që rrezikon kreun e saj, Ilir Meta.
Mësohet se të paktën 3 figura qendrore në këtë parti, prej të cilëve dy ministra, por që mbështeten edhe nga disa prej deputetëve që rrezikojnë kandidimin në zgjedhjet e ardhshme, mund t’i nxjerrin jo pak probleme kreut të LSI-së.
Këtu nuk bëhet fjalë për postin e tij në krye të partisë, por për lëvizjen që ky grupim mund të bëjë, duke krijuar një aleancë me PS-në.
Burimet theksojnë se në këtë grupim përfshihen edhe ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, ai i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.
Për të parin, Ilir Meta mësohet se i ka kërkuar prej kohësh Kryeministrit largimin nga detyra, gjë që nuk është pranuar nga Kreu i Qeverisë, megjithëse Haxhinasto është mandatuar si ministër nga LSI.
Nasip Naço, i cili duket se ka një raport jo të afërm me kreun e LSI-së, që nga koha kur u shkarkua si ministër Drejtësie, sipas burimeve nga mazhoranca është piketuar nga Kryeministri Edi Rama si një nga kandidaturat për postin e Kryeprokurorit pas përfundimit të mandatit nga Adriatik Llalla. Duket se ky propozim i përhapur nga burime të afërta me Kreun e Qeverisë, ka ndikuar në një ftohje edhe më të madhe të marrëdhënieve mes ish-ministrit dhe kreut të LSI.
Burimet theksojnë se ka një ndryshim edhe në raportet mes ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe kreut të LSI-së, megjithëse mes tyre s’ka pasur ndonjë debat direkt.
Sikundër mësohet të 3 politikanët e LSI-së kanë edhe lidhje familjare mes tyre, çka mund të përbëjë një fakt më shumë sepse Meta nuk mund të godasë dot asnjë prej tyre, pasi kjo mund të krijonte një përplasje me të 3 njëherësh.
Kjo situatë e cila zien në LSI prej disa muajsh duket se është arsyeja sepse Meta ka vendosur në postet më të larta drejtuese të kësaj partie të rinj, duke ndryshuar deri në nivelet e Nënkryetarëve, të cilët komandohen shumë më kollaj, sikundër ka paralajmëruar se edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kandidatët e kësaj partie në pjesën e tyre më të madhe do t’i përkasin brezit të ri.
Ndoshta kjo do të jetë kundërpërgjigjia që mund t’i ndodhë kreut të LSI-së Ilir Meta, i cili pas ofrimit me ish-deputetin socialist Koço Kokëdhima, dikur mik dhe mbështetës i flaktë i Edi Ramës, ka ndryshuar kursin. /citynews/a.m.