Policia e Vlorës ka vënë në pranga një person në lidhje me vrasjen e ndodhur në lagjen “Partizani”. Nga të shtënat gjetën vdekjen shtetasit Ilir Deromemaj dhe Dhimitër Cami, ndërsa shtetasi Krenar Runaj i cili mbeti i plagosur, ndërroi jetë ditën e sotme.
Lidhur me ngjarjen e datës 24.07.2016, policia bën të ditur se nga kontrolli i territorit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automjete plotësisht të djegura, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët për realizimin e këtij akti kriminal.
Janë gjetur:
1- Mjeti fuoristradë tip “Jeep”, me targë AA210FS, i cili rezulton i vjedhur para 2 muajve në Fier.
2- Mjeti “Ford Focus”, i cili nga verifikimet e kryera dyshohet se është poseduar nga shtetasi Partizan Duraj nga Fieri.
Nga hetimet e kryera, Policia ka konstatuar se mjeti i dytë i përdorur nga ky shtetas, dyshohet se i është shitur disa personave të paidentifikuar nga ky i fundit, duke fshehur kështu identitetin e autorëve.
Policia ka arrestuar shtetasin Partizan Duraj, 42 vjeç, banues në fshatin Frakull, Fier, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Policia vazhdon hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, me qëllim vendosjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
BW/d.i.