Luiza Gega mund të konsiderohet edhe zyrtarisht nënkampione e Europës. Sipas asaj që transmeton Top Channel, përgjigjja e analizave të kampiones shqiptare të Atletikës dhe flamurtares sonë në Olimpiadën e Brazilit.
Pas rezultatit historik të arritur në kampionatin europian të Altetikës, të zhvilluar në Holandë, të paktë ishin zyrtarët që e pritën dhe nderuan Luiza Gegën, edhe pse rezultati i saj ishte i një niveli shumë të lartë.
Arsyeja ishte një dhe e vetme: frika për zhgënjim të autoriteteve tona qeveritare nga përgjigjja e këtyre analizave, ashtu siç ndodhi me peshëngritësit rreth dy vite më parë.
Siç shihet në përgjigje, Luiza Gegës i kanë ardhur rezultatet e të dyja analizave, të urinës që është negative dhe të gjakut, që ka një përgjigje të vlefshme, një analizë që kërkon më shumë kohë procesimi dhe sigurisht në këtë periudhë kaq të vështirë për sportin e Atletikës, i njollosur rëndë nga dopingu, ka edhe më shumë dyshime.
Megjithatë, Luiza Gega rezultoi e pastër, siç kishte premtuar ajo dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, duke hedhur poshtë çdo aludim.
Jo vetëm ndërkombëtarët, por kushdo habitet sesi një atlete mund të arrijë nivele të tilla, duke u shpallur nënkampione Europe dhe e gjashta në botë, në një shtet ku ka vetëm dy pista atletike edhe ato të cunguara, por që të paktën janë, pa asnjë fizioterapist, mjek e masazhator për këtë sportiste.
Fat për Shqipërinë që ka një sportiste të tillë dhe mbi të gjitha të pastër. Luiza Gega vazhdon stërvitjen e saj në Dardhë të Korçës dhe do të jetë sportistja e fundit që do të niset për në Olimpiadën e Rios, për të shfrytëzuar në maksimum përgatitjen fizike në lartësi, nga e cila pritet një rezultat i ngjashëm si në Europian, citon Express. (b.an)