Rio De Janeiro i Brazilit do të presë Lojrat Olimpike në muajin gusht. Shumë kritika vijnë për organizatorët e eventit për shkak të kriminalitetit të lartë në këtë vend dhe ndotjes. Por këto nuk janë problemet e vetme.
Rio de Janeiro është qyteti ku gratë dhe vajzat vuajnë çdo ditë nga frika e përdhunimit, sidomos në lagjet e varfra të këtij qyteti. Sipas raporteve në Brazil, për fat të keq çdo 11 minuta një femër bie pre e përdhunimit.
Këto përdhunime të cilat sa vijnë e shtohen në numër janë bërë shkak për skandale të shumta dhe ngritjen e shoqatave që mbrojnë të drejtat e njeriut kryesisht ato të femrave. Madje edhe disa politikanë në Rio de Janeiro kanë ngritur alarmin për bandat e përdhunimeve.
“Tani kjo është diçka që shoqëria duhet ta diskutojë me zë të lartë- tha Eduardo Paes, Kryetari i Bashkisë së Rio De Janeiro, për “The Independent”- Shumica e rasteve mbahen të fshehta sepse njerëzit nuk flasin për këtë”.
Organet e drejtësisë kanë deklaruar se do të fillojnë punën për të reduktuar krimin ndaj grave e tu ofrojnë viktimave ndihmë dhe drejtësia të veprojë, por situata nuk duket edhe aq optimiste, shkruan “The Independent”.