Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim zyrtar Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti, me të cilin diskutoi për kontributin dhe prespektivën e rëndësishme, ne mbështetjen konkrete të BERZH me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë shqiptare.
Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat kanë shërbyer si udhërrëfyes koherent për hartimin e agjendës së zhvillimit të vendit.
Më tej, Guvernatori e njohu Chakrabarti me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.
Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori theksoi se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe nxitja e kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.
Nga ana e tij, Chakrabarti vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Më tej Chakrabarti u shpreh se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë të japë kontributin e saj në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: agrobiznesi, infrastruktura, energjia etj me qëllim zhvillimin e sektorit publik edhe atij privat.
Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar përmes linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.