Disa prindër nisin të mendojnë për shkollimin e fëmijëve të tyre që kur i çojnë në kopësht, por bëhet më të vështira mendimet, kur fëmijët janë në moshën e gjimnazit. Prej vitesh tashmë, edhe në Shqipëri dilema është e njëjtë për të gjithë; Shqipërinë apo universitet jashtë vendit?!
Italia, preferenca e parë e studentëve shqiptarë
Sipas statistikave të UNESCO-s mbi arsimimin, të publikuara në shkurt 2016, vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve shqiptarë e mban Italia me 11,637 studentë, rreth 49% e totalit të studentëve që jetojnë jashtë. Në vend të dytë është Greqia me 8,209 studentë, 34% e totalit.
Në Shtetet e Bashkura të Amerikës, me shkollat më të mira në botë, ka rreth 750 studentë, duke u renditur e treta dhe më e preferuara e studentëve me ambicie, por edhe që kanë mundësi ekonomike të përballojnë një shkollim në tokën e ëndrrave. Në Angli, që konkurron me SHBA për nga cilësia e shkollave, ka vetëm rreth 250 studentë, sipas raportimeve nga UNESCO. Numri total i studentëve shqiptarë në botë është 24,147.
Nuk janë vetëm studentët shqiptarë që duan të shkollohen jashtë. Ka dhe të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të marrë një diplomë. Po sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve e mban Italia, me 550 studentë. Më pas, ajo pasohet nga vendet e rajonit si, Mali i Zi (450), Turqia (385), Serbia (334) dhe Maqedonia (252). Në të dhënat e UNESCO nuk janë përfshirë studentët nga Kosova, që vlerësohet se zënë vendin e parë për nga numri i studentëve të huaj në Shqipëri.
Shkëmbimi i studentëve nuk është në raport të njëjtë, numri i studentëve shqiptarë që shkojnë për studime jashtë është shumë më i madh se sa ata që vijnë në Shqipëri. Analiza e hollësishme është bëre nga Revista Monitor.