Veprimtarja e njohur shqiptaro-amerikane, Tanya Domi ka mbajtur një fjalim dhe është zgjedhur të ulet në panelin e seancës së parë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate në SHBA.
Të mbledhur në Philadelphia, delegatët demokratë zyrtarizojnë kandidaturën e Hillary Clinton për Presidente të Shteteve të Bashkuara.
Seanca e parë i kushtohej komuniteteve etnike dhe Tanya Domi është bashkë-kryetare e Kaukusit Etnik.
Veterane e ushtrisë amerikane dhe lektore në Columbia University, Tanya u foli Demokratëve në mënyrë emocionale për dashurinë e gjyshes së saj shqiptare dhe rëndësinë që ka vlerësimi i rolit të emigrantëve në historinë e Shteteve të Bashkuara si dhe në ditët tona. Ajo foli edhe për gratë dhe për anëtarët e komunitetit LBGT në ushtri dhe si veteranë në shoqërinë amerikane.
“Ka ende kaq shumë punë për të bërë për këta veteran dhe familjet e tyre që i kanë dhënë kaq shumë këtij vendi e që shumë kanë nevojë për mbështetje, sidomos ata që përballen me PTSD për shkak të përvojës në luftime dhe me dhunën seksuale”, tha ajo.
Ajo vetë është dëshmi e kontributit të emigrantëve në forcat e armatosur amerikane dhe bashkë me demokratët Conrad Nowak, Mykesha Robinson dhe Tom Keefe, folën për temën “Të mbrojmë Amerikën, në Atdhe dhe Jashtë”.
“Na bashkon misioni për të theksuar se emigrantët dhe fëmijët e tyre kontribuojnë në mbrojtjen e këtij vendi, në mënyrë të jashtëzakonshme dhe pa asnjë mëdyshje”, shkroi në Facebook, Conrad Nowak. /Iliria/
ma.me