Nga Eduard Zaloshnja
Në ato që shkruajnë e flasin këto ditë njerëzit pranë PD-së, ndjehet një ngazëllim nga fakti që në ditët e fundit të kalvarit të reformës në drejtësi, Meta ishte vendimtar për miratimin e saj jo me 94 vota, por me 140. Ngazëllimi i tyre nuk ka të bëjë ndoshta aspak me mënyrën sesi u votua kjo reformë, por ka të bëjë me mesazhin që u duket se ka dhënë Meta në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
Në qoftë se reforma do të ishte miratuar me 94 vota (pa votat zyrtare te opozitës), Meta do të ishte i detyruar ta vazhdonte martesën politike të vëshitrë me Ramën edhe në zgjedhjet e ardhshme – opozita do të ishte damkosur si antieuroamerikane dhe nuk do të ishte në gjendje të merrte në zgjedhjet e ardhshme as 400 mijë vota. Dhe një bashkim i 200 e ca mijë votave të LSI-së me 400 mijë votat e opozitës thjesht do ta rikthente Metën në vitin 2005…
Këmbëngulja e Metës për ta miratuar reformën me 140 vota, edhe përkundrjet thirrjes më të fundit të qeverisë amerikane për ta votuar individualisht reformën, me minimumin e domosdoshëm për miratim (94 vota), e shpëtoi opozitën nga damkosja si antieuroamerikane. Ndërkohë, Metës i hapi mundësinë që të zgjedhë se me kë mund të bëjë koalicion para apo pas zgjedhjeve të ardhshme.
Duke u kthyer te ngazëllimi i njerëzve pranë PD-së, ata kanë një vështrim dypolar në lidhje me parashikimin për kryeministrin e 2017-ës; në atë post shohin ose Bashën, ose Ramën. Sipas tyre, roli i Metës do të vazhdojë të jetë ai që ka luajtur qysh kur u largua nga karrigia e kryeministrit – të përcaktojë se kush do të jetë ne postin e kryeministrit te rradhës (Berisha apo Nano më 2005, Berisha apo Rama më 2009, Rama apo Berisha më 2013). Ndërsa Metës i paracaktojnë postin e presidentit të republikës.
Por Meta duket se nuk është gati të luajë një rol ku nuk mund të lërë as nam e as nishan. Pavarësisht se duket i madh në moshë, ai është vetëm 47 vjeç (moshë e re për të dalë në pension në presidencë) dhe plot energji – kur ia ka dashur puna ta kalojë kufirin e motos “me qetësi e dashuri”, i ka treguar dhëmbët. Mobilizimi i tij dhe i gjithë LSI-se për të marrë 260 mijë vota në zgjedhjet lokale, tregoi se Meta synon më tepër se postin pensionist të Nishanit.
Kur te zhvillohen zgjedhjet, PD-istët e ngazëllyer aktualisht nga Meta mund të ndodhen para një të papriture – pasi LSI dhe disa parti të vogla, te bashkuara ne nje pol qendre, te kene marre rreth 300 mijë vota, mund t’i kërkojnë secilës prej partive të mëdha që kryeministër të jetë Meta. Përndryshe, mund t’ia kërkojnë të njëjtën gjë tjetrës…