Kuvendi i hapi “ditën e gjelbër ligjit” për rivlersimin e pasurive të paluajtshme, i cili do t’ju lejojë individëve dhe personave fizikë të kryejnë një rivlerësim të vlerës së pronës së tyre. Ata do të paguajnë 2% taksë mbi çmimin e vlerësimit dhe do të kursejnë taksat në rast se do ta shesin pronën në të ardhmen. Për pronat nën pronësinë e bizneseve, taksa që do të duhet të paguhet për rivlerësim përcaktohet në masën 3% për qind.
Ligji, tashmë i miratuar jep afat deri më 28 shkurt 2017 për kryerjen e procedurave të rivlerësimit.
Ish – ministri i Financave Ridvan Bode tha se kjo nismë është një kërbaç pasi qeveria mendon të ndryshojë skemën e taksimit mbi bazën e vlerës, çka do të rëndojë qytetarët në të ardhmen.
Ndërsa ministri i Financave Arben Ahmetaj e kundërshtoi këtë qëndrim të opozitës me argumentin se ky është një ligj i rivlerësimit të pasurive, i cili ofron një mundësi të kufizuar në kohë, për të lehtësuar një barrë të mundshme fiskale në të ardhmen për të gjithë ata që vlera e pasurive të tyre të paluajtshme ka akoma vlerën historike dhe ka nevojë të rivlerësohet në vlerën e tregut.
“Mbështesim çdo masë në dobi të qytetarëve e biznesit dhe për këtë arsye e kemi shprehur votën pro, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një masë periferike në interes të një numri të limituar që nuk kalon 2 % për qytetarët, ndërsa për bizneset nuk ka asnjë interes dhe lidhet me ata qytetarë që kanë banesa për të shitur”, tha Bode.
Ky projektligj pritet të ketë efekte financiare në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2016, të cilat nuk janë saktësisht të matshme për vetë faktin se procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1% është bërë edhe në vitin 2011-2013, ç’ka do të thotë që baza e tatueshme nuk është e njëjtë me atë që ka qenë në vitin 2011 deri në 2013.
Qeveria bazuar edhe te të dhënat e dërguara nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2015 ka bërë një përllogaritje mbi të ardhurat e munguara :
– Të ardhurat e munguara nga tatimi i individëve për transferimin e pasurive të paluajtshme, janë në masën rreth 2,1 miliardë lekë në vit, ose rreth 1,06 miliardë lekë, mesatarisht, për 6-mujor.
– Të ardhurat e munguara nga tatimi i subjektet tragtare për transferimin e pasurive të paluajtshme janë në masën 74,6 milionë lekë në vit, ose 37,3 milionë lekë, mesatarisht, për 6-mujor./Monitor/a.m.