Problemet në kufirin francez, ku kontrollet janë shtuar pas sulmeve të fundit, por ka mungese stafi, u bënë shkas për radhë gjigante automjetesh në Portin e Doverit.
Me mijëra vetë kanë pritur deri në 14 orë që të kalonin, ndërsa autoritetet franceze i kanë shtuar ndjeshëm masat e anti-terrorit dhe verifikimin e atyre që lëvizin me tragete.
Në zonë ka mbizotëruar kaosi për pjesën më të madhe të ditës, e ndonëse për momentin situata është çliruar disi, drejtuesit e automjeteve janë paralajmëruar se ngërçi ka gjasa të vazhdojë e janë këshilluar të shohin mundësinë e rrugëve alternative, e nëse zgjedhin te ndjekin këtë itinerar, atëherë duhet të marrin me vete ushqime dhe ujë.
Vështirësitë nisën të premten, e me shtimin e trafikut, gjendja të shtunën nisi të rëndohej ndjeshëm.
Policia i ka dërguar ujë me helikopterë njerëzve të bllokuar ne makinat e tyre në mes të të nxehtit, ndërsa një organizatë humanitare u shpërndau 6.000 shishe personave të bllokuar në Kent.
Sipas autoriteteve, kaosi i detyrohet si vonesave nga masat e shtuara të sigurisë në kufi, ashtu edhe volumit te trafikut, te shtuar prej sezonit të pushimeve. Por mediat britanike i kanë komentuar radhët e gjata si pasojat direkte të Brexit.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se masat e sigurisë janë rritur pas sulmit në Nisë, por dyshimet e nga ana e britanikëve shtohen nga fakti se në pikën e kontrollit është vetëm një person, i cili duhet të kontrollojë mijëra turistë e makina që hyjnë në Francë.
Shumë njerëz postojnë në Twitter mesazhet ku shkruajnë se kjo është një hakmarrje franceze për Brexit dhe një shembull i asaj çka do të vijë më vonë.
TCH/d.i.