Banorët e një qyteti në jug të Argjentinës u frikësuan kur një seri eksplodimesh të fuqishme lëkundën shtëpitë dhe ndërtesat, por që në fund doli të ishte një mrekulli natyrore: një meteor që u copëtua lartë në qiell.
Ishte një e mërkurë e zakonshme në General Roca, një qytet me 85,000 banorë, kur një seri shpërthimesh të zhurmshme bënë që ndërtesat dhe dritaret e tyre të dridhen. “Gjithçka u dridh”, tha Martin Soria, kryetari i bashkisë, transmeton Gazeta Express.
Policia, zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencës vrapuan në skenë, por nuk gjetën ndonjë dëshmi të ndonjë bombe, tërmeti apo fatkeqësie.
Në fund, shkencëtarët gjetën arsyen: Një meteor kishte hyrë në atmosferën e Tokës diku 10,000 metra lartë, dhe po udhëtonte 1,500kmh.
“I befasoi të gjithë për shkak se hyri në atmosferën mbi një vend të banueshëm. Nëse kishte rënë në shkretëtirë, det, Antarktik, nuk do ta dinim kurrë”, tha astronauti Roberto Figueroa, shkruan Daily Mail.
Ai tha se meteori i së mërkurës ishte rreth 12m në diametër para se të thyhej në tri fragmente.