Në tre vitet e fundit kabineti “Rama” nuk morri asnjë vendim për të rritur pagat dhe pensionet, përveç indeksimit të inflacionit që i bëri pagesës së pensionistëve. Por me sa duket, qeveria ka ndryshuar mendje lidhur me politikat e reja për të shpërblyer punonjësit.
Në programin buxhetor afatmesëm që është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë është vendosur që vitin e ardhshëm të nisë rritja e pagave me një fond të vënë në dispozicion prej 10 milion dollarësh në buxhet, e më pas në 2018-ën fondi rritet me 15 milion duke arritur në 20 milion dollarë në 2019-ën.
Kështu, mesatarisht çdo punonjës i administratës do të marrë 116 dollarë shtesë në vit te paga e tij, ose rreth 10 dollarë në muaj raporton Vizion Plus. Edhe pse nuk ka pranuar zyrtarisht qasjen e saj për të rritur rrogat, ministria e Financave nuk e ka mohuar një nisëm të tillë. Megjithatë, fondi i vënë në programin afatmesëm nuk është përfundimtar, ai mund të rritet gjatë hartimit të buxhetit të ri që do të bëjë qeveria.
Po kështu, për këtë vit janë vënë 4 milion dollarë në dispozicion për shpërblime. Me programin e ri ministria e Financave e mban fjalën që nuk do të ketë më rritje taksash, por ajo parashikon që të nxjerrë më shumë të ardhura nga taksa e pasurisë për qytetarët, e cila mblidhet për llogari të pushtetit vendor.
Ende nuk është vendosur formula e re që do të vihet në zbatim, po nga 52 milion dollarë që mblidhen sot, në fund të 2019-ën kjo shifër pritet të dyfishohet./a.m.