Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e prodhimit, grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të duhanit. Hetimi synon të evidentojë nëse në këtë treg ka një abuzim me pozitën dominuese nga ndërmarrjes “MIKA KORÇA”, që është i vetmi subjekt që bën blerjen e duhanit nga fermerët dhe eksportin e tij jashtë vendit.
Ndërmarrja “MIKA KORÇA” operon me anë të kontratave paraprake me fermerët në kultivimin e duhanit. Me anë të këtyre kontratave, firma i siguron ofrimin e farës së produktit, si edhe një pjesë të asistencës teknike të nevojshme gjatë procesit të mbjelljes, vjeljes dhe stazhionimit.
Problematika kryesore e konstatuar gjatë procesit të monitorimit lidhet me kostot e larta të prodhimit, ndërsa çmimi, sipas fermerëve, nuk arrin të mbulojë kostot dhe të realizojë fitimet e pritura, për shkak të kushteve të pafavorshme të vaditjes së bimës së duhanit dhe kostove të larta të plehrave dhe pesticideve që përdoren gjatë procesit të kultivimit.
Duke marrë shkas nga diferenca e lartë në çmime me vendet e tjera dhe nga pozita monopol e kësaj ndërmarrjeje, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim, që do të tregojë nëse ka shenja të abuzimit me pozitën dominuese nga subjekti.
Pak dite me pare Ministria e Bujqësisë bëri me dije se Kompania Mika Korca ka disbursuar këstin e parë prej 580 000 euro për pagesat e prapambetura te fermerëve duhan-kultivues, kryesisht në zonën e Dumresë, Elbasan.
Ndersa disbursimin i dy kësteve të tjera, do të respektojë afatet e parashikuara në marrëveshjen kontraktuale me ministrin e Bujqesise për shlyerjen e shumave totale deri më 31 Gusht 2016./ATA/a.m.