Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi të shtunën se ndryshimet në projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme” sjellin përmirësim të klimës së biznesit.
Ahmetaj ishte i pranishëm në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ku po shqyrtohen ndryshimet në ligj. “Ky projektligj synon të bëj të mundur realizimin brenda një kohe të shkurter, dhe me kosto të ulët për individët dhe personat juridik të rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme të tyre dhe nxitjen e tregut të pasurive të paluajtshme”, tha ai.
Rivlerësimi përmes këtij projektligji është propozuar 2 % për individ dhe 3 % për personat juridikë. Sipas p/ligjit, të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 28 shkurt 2017, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 2% e bazës së tatueshme.
Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive. Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 3 % të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme.