Korrupsioni në Drejtësinë shqiptare ka prekur çdo lloj detyre që ushtrohet në gjykatë, prokurori apo institucione të tjera. Kancelarja e Gjykatës së Durrësit është dërguar sot për gjykim pasi dyshohet se ka marrë një shumë parash vetëm që t’i shtynte një qytetari datën e seancës gjyqësore.
Sipas një njoftimi të organit të akuzës, Suzana Mandija me detyrë kancelare akuzohet për korrupsion pasiv. Së bashku me të, për gjykim është çuar edhe shtetasi Gëzim Shala i cili ndodhet nën akuzën e ndikimit të paligjshëm.
Më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur “arrest shtëpie” për kancelaren 58-vjeçare. Ajo ishte nën hetim edhe për manipulimin e shortit të gjyqtarëve, kundrejt ryshfetit.