Prokuroria administron një video të re që tregon veprimet e abuzimit me detyrën dhe braktisjen e shërbimit të sigurisë së punonjësve të aeroportit “Nënë Tereza”, në momentin kur grabiten gati 1 milion euro.
Ajo tregon se jo të gjithë shërbimet e sigurisë së kompanisë “ICTS Albania” kanë qenë në detyrë. Videoja e re tashmë është administruar në dosje si provë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila do përdoret në gjykatë për të provuar akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” si disa prej punonjësve të arrestuar për këtë çështje.
Në pamjet filmike, dy nga punonjësit e sigurisë së pistës së aeroportit “Nënë Tereza” vetëm pak minuta para se të hynte makina e kuqe e grabitësve, janë larguar nga shërbimi. Nga verifikimi me imtësi i këtyre pamjeve filmike, punonjësit e sigurisë kthehen sërish në shërbim, por në duar mbanin një qese, në të cilën kishin futur byrek.
Një fakt i tillë është pranuar dhe nga marrja në pyetje e këtyre punonjësve të cilët kanë pranuar se janë larguar nga shërbimi, pasi ishin larguar të blinin diçka për të ngrënë, për shkak të orarit të drekës.
Shqiptarja.com