Pas aludimeve se këngëtarja Çiljeta Xhilaga ka ‘tradhtuar’ Partinë Demokratike, me Lëvizjen Socialiste për Integrim, artisja deklaron të kundërtën. Në një intervistë telefonike për “Java Neës”, Çiljeta rrëfehet për profesionin dhe politikën, dy gjëra të cilat zënë vende të ndryshme në jetën e saj.
Çiljeta tregon se nuk e ngatërron kurrë profesionin e këngëtares me bindjet politike, gjë të cilën e dëshmoi edhe me pjesëmarrjen e saj në aktivitetin e LSI-së në Durrës.
Ndërkohë që aktivitetin e radhës dy ditë para zgjedhjeve vendore, Çiljeta do të këndojë për PDIU-n. “Unë punoj si këngëtare, jam artiste me profesion. Jam ftuar nga LSI për të kënduar dhe përtej bindjeve të mia politike, bëj punën time si këngëtare.
Në radhë të parë kam vendosur profesionin dhe më pas vjen politika. Tjetër gjë është t’ia japësh votën një partie dhe tjetër gjë është të bësh punën tënde. Nuk ka lidhje tradhtia, pasi votën unë ia jap kujt të dua. Nuk mund të ngatërrohet simpatia për një parti dhe profesioni.
Unë nuk punoj dhe as nuk jam e angazhuar në asnjë institucion që i përket PD-së”, tregon për “Java Neës” këngëtarja. Në këtë mënyrë Çiljeta shuan zërat lidhur me bindjet e saj të djathta, ajo vazhdon të qëndrojë ‘besnike’ ndaj PD-së dhe ish-liderit të saj, Sali Berisha.
“Vazhdoj të jem dashamirëse dhe do vazhdoj të kem simpati për PD-në. Nuk jam e angazhuar më në Partinë Demokratike, jo për shkakun tim. Dashamirësinë për forcën e djathtë politike unë e kam brenda vetes, nuk e ngatërroj me profesionin”, tregon Xhilaga për median tonë.
Reagimi i Çiljetës vjen vetëm një ditë pasi mediat filluan të spekulonin për ndryshimin e bindjeve politike të këngëtares, e cila gjatë fushatës së 2013-s merrte pjesë në aktivitetet e organizuar nga PD.