Kishte kohë që ziente kjo çështje. Ndër të parët që folën për këtë gjë nëpërmjet rrjeteve sociale, ku sot bëhet politika dhe mbahen qëndrime, në rrafshin civil ishin dy deputetë: Tritan Shehu dhe Mesila Doda. Por këtë çështje në publik për herë të parë dhe qartas, zyrtarisht e ngriti Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë me një prononcim të saj në plenaren e Majit të këtij viti me anë të një deklarate për reformën në drejtësi ku ndër të tjera u tha: “…dëshirojmë të vendosim theksin në ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me ligjiin e mos-diskriminimit (Neni 18). Kisha katolike mbështet nismat për mos-diskriminimin dhe reflektimi i saj nxitet nga kujdesi për çdolloj situate njerëzore që kërkon delikatesë dhe tutelë. Në këtë prizëm, edhe në Kishën katolike, ka një reflektim që shkon në drejtim të përkujdesjes dhe mosdiskriminimit në të gjitha dimensionet e jetës njerëzore. Nga ana tjetër ne kërkojmë nga ligjvënësit që këto ndryshime, në një të nesërme, të mos prekin kodin dhe sensin e familjes, që për ne të krishterët është ajo e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje.”
Sikurse shihet qartë Kisha Katolike nuk ka kërkuar mosvotimin apo përjashtimin e këtij neni në asnjë moment, por ka kërkuar kujdes që në të ardhemn ky ligj i mosdiskriminimit të mos bëhej shkas për ndryshimin e kodit të familjes, pra thjesht dhe qartë Kisha Katolike njeh si martesë vëtëm atë ndërmjet burrit dhe gruas, sikurse thotë edhe Papa Françesku në Porosinë e tij të funditAmoris Laetitia: “… vetëm bashkimi ekskluziv ndërmjet një burri dhe një gruaje kryen një funksion shoqëror të plotë, duke qenë se është një angazhim i qëndrueshëm që bën të mundur vazhdimësinë e jetës. Duhet të pranojmë larminë e madhe të situatave familiare që mund të ofrojnë një farë rregulli jete, por çiftet bashkëjetuese apo bashkëjetesat e personave me të njëjtën gjini … nuk mund të barazohen aq lehtësisht me martesën. Asnjë bashkim i paplotë apo i mbyllur ndaj vazhdimësisë së jetës nuk mund të na sigurojë të ardhmen e shoqërisë”. (AL 52).
Po çfarë në të vërtetë përmban aktualisht Kushtetuta dhe çfarë do të ndodhte me ndryshimet në Kushtetutë? Mendoj është e rëndësishme të dihet, sepse ndryshimet kushtetuese në popull nuk i di askush, madje edhe shumë deputetë as nuk i’a kanë idenë se çfarë ka ndodhur me miratimin e reformës. Thjesht janë mjaftuar me fjalën reformë që i’u është dukur e bukur.
Kushtetuta aktuale, në pjesën e dytë të saj me titull “Të drejtat themelore të njeriut”, në kreun e parë ku janë parimet e përgjithshme, pikërisht në nenin 18 § 2 thotë:
Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca,feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, identiteti gjinor, pasurore, arsimore, origjina sociale, lindja, aftësia e kufizuar, përkatësia shoqërore, prindërore ose të tjera.
Drafti i propozuar për miratim në ndryshimet e reja kushtetuese ishte ky:
Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca,feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike,identiteti gjinor, orientimi seksual, gjendja ekonomike, pasurore, arsimore, origjina sociale, lindja, aftësia e kufizuar, përkatësia shoqërore, prindërore ose të tjera.
Pra në versionin e ri ishin shtuar dy fjalë: orientim seksual dhe identitet gjinor. Këto dy fjalë ranë dhe kështu paragrafi 2 i nenit 4 të Kushtetuës së vjetër mbeti i njëjtë, i pandryshuar, në mos e paçin hequr krejt, çka do të krijonte problem edhe më të mëdha. Ky nen kushtetues në tërësinë e tij është i rëndësishëm, sepse sanksionon një rregull juridike të vjetër dhe themelore: të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Kjo të gjithë do të thotë të gjithë.
Por para se të shkoj këtu është e rëndësishme të kuptojmë se pse ranë këto dy fjalë dhe a do të krijonin problem po të rrinin?
Kam disa paqartësi rreth faktit që ky paragraf ra. Po i rradhis me kujdes.
Më çudit fakti që ambasadorët e BE dhe USA nuk reaguan në lidhje me këtë ndryshim kushtetues, apo me rënien e këtij paragrafi në momentet e fundit. A thua ishte një kompromis më i madh për t’u bërë e atëherë ambasadorët, që nuk ngurrojnë të dalin në paradat e LGBT me biçikletë, këtë herë nuk donin të hapnin një front tjetër? Më vjen keq nëse është kështu për LGBT dhe për vetë ambasadorët, sepse do të thotë se mbështesin vetëm ideologjikisht këto persona dhe kur duhet vërtet të bëjnë një hap konkret për ta, i zbresin biçikletës.
Çuditërisht kësaj here nuk u ndie as zëri i Avokatit të popullit i cili ishte ndër flamurtarët e të drejtave LGBT e po ashtu nuk u ndien as ambasada të tjera flamurtare të LGBT. A nuk ishte një rast unik e i papërsëritshëm, dhe faktikisht që nuk mund të vijë më, që mosdiskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe atij gjinor të hynte në kushtetutë. Si ka mundësi që USA, BE, Avokati i popullit e lanë të bjerë dhe tradhëtuan një kauz të tillë? Si ka mundësi që vetë LGBT nuk shpenzuan asnjë presje për këtë gjë? A thua edhe ata tradhëtuan vetveten?
Më çudit ende një fakt tjetër. Ky nen ra pikërisht ndërsa negociatat për konsensusin e reformës kishin hyrë në një qorrsokak. Ndërsa konsensuset prisheshin e shprisheshin, ndërsa acaroheshin faktorët politikë dhe rrezikonte të binte mazhoranca krejt papritur i jepet ok rënies së një neni dhe kjo shihet si një fitore e një partie politike konkretisht PDIU, e cila ka 5 deputetë në parlament. A ka dikush të drejtë të mendojë se për 5 vota u shitën LGBT si mall i lirë?
Dikush mund të thotë: po ti don Gjergj hallin e LGBT-ve ke se ju si Kishë sikur jeni kundër atyre? Një objeksion i drejtë ky mendoj. Pak histori personale. Artikullin e parë për këtë temë e kam shkruar në vitin 2002 në gazetën “Koha jonë” dhe aty kam qenë mjaft kategorik rreth përjashtimit të martesave homoseskuale. E kam vazhduar publicistikën time rreth kësaj teme edhe në momente të tjera në Gazetën Panorama apo në dalje të ndryshme në TV duke qëndruar ndërmjet doktrinës së Kishës për përjashtimin e martesës dhe të drejtës së çdonjeriu për të pasur një orientim seksual. Unë e di që ende nuk është koha te ne për të trajtuar disa tema, por do të vijë shumë shpejt.
Nuk di të them nëse duhet të rrinte apo jo ai nen, por ishte i vetmi nen që nuk kishte të bënte me organizma apo struktura, por kishte të bënte me njerëz. Aty, sikurse shihet qartë nuk bëhej fjalë për martesë, por për mosdiskriminim nën maksimën më të rëndësishme në rendin juridik: të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Të gjithë do të thotë njerëz dhe jo sende, jo struktura, jo kafshë. A mund të rregullohet ndryshe mosdiskriminimi i personave me oriemtim homoseksual apo me një identitet gjinor të ndryshëm nga seksi biologjik? Sigurisht që po. Mund t’u delegohet ligjeve të sektorëve të ndryshëm të jetës dhe shoqërisë si p.sh. politikave të punësimit, apo të pjesëmarrjes në jetën publike. Nesër ne nuk mund dhe nuk duhet të ndalojmë që Kryeministri apo Presidenti i vendit të jetë homoseksual, ashtu sikurse nuk mund apo duhet të ndalojmë që dikush të kandidojë për deputet pasi ka ndërruar seksin e tij. E po ashtu nuk mund ta ndalojmë dikë që të ketë një vend pune për shkak të një orientimi të caktuar. Por gjithsesi çështja ngrihet se kush do t’i mbrojë këto persona. Nëse jo kushtetuta atëherë ligjet apo normat e veçanta.
Është e vërtetë që përveç disa vendeve të Amerikës latine, asnjë vend europian nuk e ka në Kushtetutë çështjen e mosdiskriminimit për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, por sepse kushtetutat e vendeve perëndimore janë pak më të qëndrueshme se tonat e për t’i ndryshuar duhet shumë punë. Vendet perëndimore këtë gjë ua delegojnë ligjeve të veçanta apo normave që dalin në përputhje me rakomandimet që vijnë nga BE. Në fakt flitet vetëm për rakomandime dhe jo për detyrim. Këtë e tregoi në fakt edh fakti që LGBT “u sakrifikuan” pa asnjë problem nga të gjitha palët. As Belgjika, as Franca, Hollanda apo spanja nuk e kanë në kushtetutë mosdiskriminimin për shkak të orientimit homoseksual, por aty martesat homoseksuale bëhen. Prandaj unë e quaj një fitore të Pirros, e fundit pra.
Neni 18, i ndryshuar, kishte një mundësi po të miratohej, që t’i hapte rrugën martesave gay. Me një logjikë juridike strikte mund të arrihej aty. Por ishte vëtëm një mundësi si shumë të tjera që çdo ligj ka për t’i hapur rrugë diçkaje që një pjese të shoqërisë nuk i pëlqen. Por këto janë vetëm mundësi. Ajo çka bie në sy është fakti që shoqëria shqiptare mbetet thellësisht diskriminuese jo vetëm ndaj personave me orientim homoseksual, por edhe ndaj romëve, ndaj personave me aftësi të kufizuar etj dhe kjo reflektohet në terminologjinë që përdoret, të cilën nuk po e shkruaj për të ruajtur etikën.
Pak më parë tregova historinë time personale rreth qasjes ndaj këtij problemi. Kam një mea culpa për të bërë. Unë mendoj se është humbur shumë kohë edhe nga ana e Kishës duke ngritur barrikada dhe mure në qasjen ndaj këtyre personave dhe jo vetëm. Kjo ka bërë që shumë njerëz t’i largohen kishave tona e të mos ndjejnë atë dashuri dhe ngrohtësi që Lajmi i mirë i Ungjillit ka për të gjithë. Si të krishterë kemi ngritur jo rrallëherë barrikada morale e kemi vënë barra që as ne vetë si besimtarë apo klerikë nuk i kemi luajtur as me gisht të dorës. Prandaj Papa në udhëtimin e fundit në Armeni i ftoi të krishterët që t’u kërkojnë falje personave LGBT e jo vetëm. Kemi kërkuar moralin ndaj personave homosekseualë duke harruar ligësinë që përdorim në marrëdhënie të shoqishoqme me anë të thashethemit, përjashtimit, kompromiseve, skandaleve financiare e seksuale.
A duhej të rrinte ai paragraf? Nuk e di. Për mua mund të rrinte, sepse nuk do të prishte asgjë. Familjen sot nuk e rrezikojnë personat LGBT, por dhuna, papunësia, korrupsioni, pornografia, bota virtuale, mungesa e politikave pro familjes etj. Mendoj që agresiviteti ndaj personave LGBT shpreh më shumë, vatra të pazgjidhura brenda nesh, se sa një fakt objektiv jashtë nesh. E kam thënë edhe herë të tjera dhe e përsëri që është njësoj arroganca e lobeve LGBT dhe arroganca e atyre që janë kundër personave të tillë. Janë skajet që takohen e përputhen. Unë nuk jam as për njërën e as për tjetrën.