INSTAT beri te ditur sot se, Shqipëria riciklon 25.3% të mbetjeve totale që prodhon. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ky tregues është rritur gjatë vitit 2015, nga niveli prej 21% që kishte qenë në vitin 2014.
Megjithatë, ende shumica dërrmuese e mbetjeve nuk trajtohen dhe depozitohen në landfille. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mbetjet organike, që përbëjnë pak më shumë se gjysmën e mbetjeve totale, por edhe për një pjesë të mirë të materialeve që mund të riciklohen.
Sipas të dhënave nga INSTAT, mbetjet e materialeve që mund të riciklohen përbëjnë të paktën 30% të totalit të mbetjeve.
Sipas INSTAT, vetëm 1.5% e mbetjeve urbane të prodhuara në 2015 u dogjën për të prodhuar energji. Kjo lidhet me mungesën e një industrie të zhvilluar të prodhimit të energjisë nga mbetjet.
Në volum, totali i mbetjeve të pa menaxhuara me fonde publike për vitin 2015 u rrit ndjeshëm në 43%, nga 25% që kishte qenë në vitin 2014./a.m.