Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në muajin maj interesi mesatar i depozitave në lekë zbriti në minimumin e ri historik prej 0.8%. Ndërkohë, depozitat në euro, prej më shumë se një viti po qëndrojnë në kufijtë e 0.2%.
Interesat e ulëta të depozitave janë rrjedhojë e politikave monetare nxitëse, por edhe e gjendjes shumë likuide të tregut financiar.
Në rastin e euros, trysnia është më e lartë për shkak të interesave negative mbi depozitat që aplikon Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Shqipërisë. Normat e ulëta të interesit e kanë ulur në minimum interesin për të kursyer, çka e përmbush qëllimin e politikës monetare.
Njëkohësisht, ulja e interesit të depozitave ka ndihmuar edhe në uljen e çmimit të kredisë, që gjithashtu ndodhet në nivelet më të ulët historikë. Për lekun, interesi mesatar i kredive të reja ka zbritur në 7.3%, ndërsa për euron në 4.2%.
Kjo nuk ka rezultuar e mjaftueshme për t’i dhënë shtysë rritjes sasiore të kredisë për ekonominë./a.m.