Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret miratimin nga Kuvendi të paketës së ndryshimeve kushtetuese, që synojnë reformimin e sektorit të drejtësisë. Ne e përgëzojmë Kuvendin për këtë arritje thelbësore, e cila u mbështet qartë nga shumë ekspertë dhe diplomatë ndërkombëtarë.
“Kjo është një arritje e rëndësishme, që i hap rrugë zbatimit të reformës së njëmendtë në drejtësi. Ndryshimet e miratuara sot tani duhet të pasohen nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe politika, për të tërë sistemin gjyqësor”, thuhen në njoftimin për shtyp.
OSBE thekson se reforma do të jetë e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, anembanë vendit.
Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Prezenca e OSBE-së ka qenë një kontribuese dhe partnere e përkushtuar e procesit të reformës dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen e saj aktive, në të gjitha nivelet.
(java / r.a)