I pyetur se kush po e bllokon miratimin e Reformës, ish-kryeministri Sali Berisha u përgjigj se “edhe veshgjatët në Shëngjergj e kanë marrë vesh se kush po e bllokon Reformën, nuk ka ngelur njeri që nuk e di”.
Berisha shtoi se nuk ka asnjë shkak për të mos e kaluar sot Reformën, duke këmbëngulur se ka pasur marrëveshje midis palëve për KLGJ dhe KLP, ndonëse nuk janë shkruar në procesverbal.
“Më vjen keq, sepse është bërë një punë e jashtëzakonshme. Mendoj se në mënyrë absolute nuk ka asnjë shkak për të mos e votuar. Nuk paragjykoj si do jetë, sepse ka negociata në vazhdim. Problemet janë 100 për qind të zgjidhshëm. Në historinë e njerëzimit “gentlemen agreement” respektohet. Çdo negociatë konfidenciale është në linjën e negociatave në mirëbesim. Pala tjetër thotë jo. Mohojnë marrëveshjen. Për fat të mirë, ministri i drejtësisë e ka pohuar. Dëshmitar i besueshëm 100 për qind është Ylli Manjani që tha se përfaqësuesi i Ramës e pohoi marrëveshjen”, tha Berisha.
d.i.