Nga Mentor Kikia
Unë nuk di të them se sa drejtësi do të prodhojë reforma në drejtësi, pasi gjithmonë kam besuar se faji nuk është i ligjeve, por i atyre që zbatojnë ligjet. Megjithatë shpresoj që ligjet e reja do të shkatërrojnë ca struktura të kalbura e të korruptuara deri në qelizë.
Shpresoja që ndërkombëtarët të kishin më shumë rol, sesa të “shikojnë nga përtej xhamit”, pasi asnjëherë nuk kam besuar që konsensusi mes partive tona prodhon zgjidhjet me te mira.
Më shumë se dakordësi, ai është pazar, mbi bazën e të cilit është zgjedhur si Presidenti, ashtu dhe Prokurori i Përgjithshëm, si anëtarët e Gjykatës së Lartë e deri tek Avokati i Popullit. Megjithatë sërish, ky është një hap i madh.
Vetëm një gjë: Askush nga politikanët tanë nuk duhet të krenohet. Askush nuk duhet të rrahë gjoksin.
Edhe pasi ta votojnë, ata duhet të dalin kokëulur nga parlamenti sepse për të arritur deri këtu, ndërkombëtarët janë angazhuar si askund tjetër për një cështje të brendshme.
Pas konfliktit Izrael-Palestinë, dhe falimentimit të Greqisë, reforma e drejtësisë në Shqipëri i ka marrë Europës dhe SHBA-së më shumë energji diplomatike.
Kjo nuk është meritë e juaja, dhe askush nuk meriton një permendore për këtë.
Aq më shumë ai që krenohet se na bëri nder, që nuk e prishi fare.
Megjithatë një përmendore do ti takojë atij që do ta zbatojë reformën.