Në vijim të investimeve kapitale në sport, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, nënshkroi sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Suharekës, për rikonstruksionin e stadiumit të futbollit.
Përmes memorandumit të nënshkruar nga ministri i MKRS-së, Kujtim Shala dhe kryetarit të komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, ministria do të investojë 277 mijë euro, për vitin 2016 dhe 2017, ndërsa Komuna e Suharekës, merr përsipër të investojë 173 mijë euro në periudhën 2016-2017.
Ministri Kujtim Shala u shpreh se investimet kapitale që po bëhen në bashkëpunim të ngushtë me komunat dhe në këtë fazë të rëndësishme për sportin e Kosovës, janë të domosdoshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së sportit të Kosovës, sidomos tani kur jemi pjesë e futbollit ndërkombëtar.
Ndërsa kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e ngushtë, dhe u shpreh se ky investim kapital në Suharekë është tejet i rëndësishëm për futbollin e Suharekës, sepse krijon kushte më të volitshme për sportistët dhe zhvillimin e garave në kushte më të mira.