Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe ai turk Tayyip Erdogan, kanë biseduar të martën për tentimin e dështuar për grusht shtet në Turqi në fundjavë.
Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, Obama i ka ofruar përkrahje Ankarasë në hetimet për këtë tentim grusht shteti, por ka kërkuar nga qeveria turke përmbajtje në vendimet për personat që tentuan grusht shtet.
Josh Earnest nga Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se dy liderët kanë diskutuar edhe për statusin e klerikut Fethullah Gulen, që jeton në Amerikë, e të cilin Erdogani e akuzon se është organizatori i tentimit për grusht shtet, raporton Reuters, transmeton koha.net.
Po ashtu Turqia ka bërë të ditur se do të kërkojë ekstradimin e Gulenit.
Earnest ka bërë të ditur se SHBA sapo të marrë kërkesën për ekstradim të Gulenit do ta shqyrtojë atë sipas traktatit mes dy vendeve. Pas tentimit të dështuar për grusht shtet, në Turqi janë arrestuar mijëra persona. (b.an)