Kryetari i Kuvendit Ilir Meta duket se ka bërë një tërheqje nga deklarata e tij për qeveri teknike, ose të paktën ai ëhstë keqkuptuar dhe deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Në studion e emisionit “Opinion” ai deklaroi se ka ndodhur një keqkuptim.
“Është keqkuptim kjo që ka ndodhur, Kam thënë se duhet të mblidhemi të gjithë për të gjetur konsensusin. Kam thënë se kemi të bëjmë me një mosbesim të madh për shkak të kësaj klime”, deklaroi Meta.
Më tej ai u shpreh i bindur se qeverisja PS-LSI do të vijojë.
“Ne kemi marrëveshje 4-vjeçare dhe nuk ka asnjë arsye pse bashkëqeverisja të mos vazhdojë”, deklaroi Meta. Po ashtu ai tha më tej se nuk ka asnjë prioritet për rikompozime në qeveri, çështje kjo mjaft e përfolur në qarqet mediatike si një prej shkaqeve të ftohjes me Ramën.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi se jemi shumë pranë votimit të reformës në drejtësi.
Kjo sipas tij pas takimit të sotëm Rama-Meta-Basha, ku palët kanë hedhur hapa drejt konsensusit.
“Besoj se reforma në drejtësi do të kalojë. Këtë e kam pasur bindje prej kohësh. Pas takimit të sotëm me kryeministrin dhe me kryetarin e opozitës Basha jam i bindur se jemi shumë pranë konsensusit për reformën në drejtësi”, tha Meta.
Edhe pse shprehur bindjen se palët janë shumë pranë konsensusit, i pyetur nëse kjo do të dështonte, Meta deklaroi se Lsi do të votojë pro reformës.
Më tej ai theksoi se mungesa e konsensusit rrezikon të minojë besimin te institucionet e reja që do të dalin nga reforma.
“Nëse reforma votohet pa konsensus, rrezikohet legjitimiteti i institucioneve të reja që do të dalin. Nëse reforma votohet në mënyrë të njëanshme nuk mund të ketë besueshmëri të sistemit”, deklaroi Meta./a.m.