Vetëvendosje, përmes një deklarate për media, njoftoi se më 18 korrik 2016, rreth orës 07:30 është ndaluar të hyjë në Kosovë Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve dhe anëtare e kryesisë të Vetëvendosjes, transmeton Koha.net.
Sipas deklaratës, Dejona Mihali është mbajtur për disa orë në kufi, dhe më pas është kthyer në Shqipëri, pasi i është komunikuar një urdhër për ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës, pa afat.
Policia kufitare i ka marrë direktivat drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme, dhe komunikimi është kryer në prani të Dejona Mihalit thotë dhe vazhdon se urdhri për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës është lëshuar në shkurt, por prej asaj kohe e deri sot Dejona Mihali nuk është vënë kurrë në dijeni për ekzistencën e këtij urdhri, as zyrtarisht e as në ndonjë mënyrë tjetër.
Ky vendim arbitrar, sipas kumtesës, është marrë pa u bazuar në asnjë ngjarje faktike, në asnjë ligj dhe pa asnjë vendim gjyqësor.
Ky arbitraritet i pushtetit të Thaçit, Mustafës dhe i Veselit po e bën Kosovën një vend pa të drejta demokratike e civile, po e shpërfaq si një tirani despotësh të vegjël, që të vetmin funksion e kanë servilizmin ndaj ndërkombëtarëve, Serbisë e mafias.
Ndalimi i Dejona Mihalit i shtohet deportimit të Boiken Abazit dhe Arbër Zaimit, si një fushatë sistematike që qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë ndaj veprimtarëve të Lëvizjes që janë nga Shqipëria.
Reagimet e zbehta të qeverisë së Shqipërisë na bëjnë të pandehim se kjo fushatë kriminale e arbitrare është e koordinuar mes dy qeverive, konstaton kumtesa e Vetëvendosjes dhe shton se në vizionin e despotëve bashkimi kombëtar është bashkim i forcave të regresit, i mafias, i dallaverexhinjve, i dhunës, i krimit e i servilizmit.
Në vizionin tonë bashkimi kombëtar është bashkim i popullit, i prodhuesve, i qytetarëve të ndërgjegjshëm, i kulturës, i dinjitetit e mbi të gjitha bashkim kombëtar i idealit. (b.an)