Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani kanë mbajtur sot një takim, në të cilin është diskutuar rreth përgatitjeve që po bën Kosova për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit.
Hasani ka bërë të ditur se në këto Lojëra Olimpike Kosova do të përfaqësohet nga tetë sportistë, transmeton Koha.net.
“Kosova do t’i ketë tetë sportistë dhe kjo pjesëmarrje është një sukses i jashtëzakonshëm i sportit kosovar”, ka thënë Hasani, bëhet e ditur përmes një komunikate.
Sipas tij ekipi olimpik i Kosovës është në gjendje të mirë dhe ka bërë përgatitje të nevojshme për prezantim sa më të suksesshëm të Kosovës dhe sportit të saj në Lojërat Olimpike.
Nga tetë sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olpimpike, vetëm dy janë me normë olimpike, Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova që përfaqësojnë Kosovën në xhudo.
Kurse me ftesë janë këta sportistë: Musa Hajdari e Vijona Kryeziu (atletikë), Lum Zhavelli e Rita Zeqiri (not), Qendrim Guri (çiklizëm), dhe Urata Rama (qitje).
Ndërkaq Shala iu ka dhënë mbështetje sportistëve në emër të institucioneve të Kosovës
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përkrahin KOK-un dhe gjithë sportistët në këtë ngjarje tejet të rëndësishme të sportit botëror, dhe pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë si shtet në këto lojëra, si dhe përfaqësimi solid, janë dëshmi e punëve që janë bërë, por edhe e cilësive dhe sukseseve të dallueshme të sportit kosovar”, ka thënë Shala, referoi Express. (b.an)