Dikush mund të buzëqeshë me këtë titull, por vërtet ky mund të jetë shkaku pse demokratët nuk po dinë të marrin avantazhin që të jep të qenit në opozitë prej dy vjetësh. Kur nga dita e votës ka mbetur më pak se një javë, demokratët po ndjekin pasivë premtimet e pamundura të Lulzim Bashës, i cili bën oferta që i takojnë vitit 2017. Ndërkohë, në hartën elektorale ka fituar idea se qytetet e mëdha, me përjashtim të Shkodrës e deri diku edhe Durrësit, do të jenë në dorën e kundërshtarit edhe në katër vjetët e ardhshme.
Fushatat e PD kanë pasur tradicionalisht volum të lartë. Volum fjalimesh dhe volum këngësh. Pikërisht ai volum që mungon sot. Dikur Berisha tundte sheshet, i ndjekur nga pas nga Çiljeta dhe Elita 5. Kurse sot mungojnë që të dyja, edhe Doktori, edhe këngëtarja e njohur që tashmë këndon në fushatën e Ilir Metës. Përtej batutës së rastit, kjo mungesë e kësaj dysheje, mund të jetë një nga shkaqet kryesore të anemisë elektorale që ka kapur sot Lulzim Bashën dhe stafin e tij politik.