Mohamed Lahouaiej Bouhlel, i cili ia mësyu me kamion turmës së njerëzve në Nice të enjten, të cilët po festonin ditën kombëtare të Francës, duke i vrarë 84 persona dhe lënduar qindra të tjerë, i kishte dërguar familjes së vet 100 mijë euro disa ditë para këtij sulmi.
Jaber Bouhlel, vëllai i Mohamed, ka thënë për MailOnline se paratë ishin dërguar përmes shokëve të tij në mënyrë ilegale, përcjell Express.
Jaber e ka pranuar se familja kishte mbetur e mahnitur me shumën e parave.
“Ai na ka dërguar 240 mijë dinarë tunizian (100 mijë euro) në ditët e fundit,” tha Jaber.
“Ai gjithmonë na ka dërguar shuma të vogla parash, siç bëjnë shumë tunizianë të cilët punojnë jashtë shtetit. Por, pastaj ai na e dërgon tërë këtë shumë parash, një pasuri të tërë,” shtoi ai.
Ai e pranon se paratë janë dërguar ilegalisht.
“Paratë janë dërguar ilegalisht. Ai u kishte thënë para njerëzve që i njihte të cilët po ktheheshin në fshatin tanë, dhe i kishte lutur të na sjellnin paratë neve,” e pranoi ai.
Por, ai insiston se vëllai i tij nuk ishte terrorist.
“Vëllai im s’është terrorist,” tha ai.
Ndërkohë, babai i Mohamed Bouhlel ka insistuar se i biri i tij ishte i sëmurë mendërisht dhe se nuk ishte i radikalizuar në ushtar siç ISIS pohoi sot.
Mohamed Modher Lahouaiej Bouhlel, biri i të cilit vrau 84 persona në Nice, ka thënë se i biri i tij ka vuajtur nga depresioni.
“Nga viti 2002 deri në 2004 ai kishte probleme të cilat çuan në avari nervore,” tha ai.
“Gjithmonë bëhej nervoz dhe u bërtiste njerëzve dhe shkatërronte gjithçka para vetes. Ishte i dhunshëm dhe shumë i sëmurë. E kemi çuar të doktori i cili i ka përshkruar ilaçe,” shpjegoi ai./Gazeta Express/ a.k